Lajme

Kryetari i Sindikatës së Bujqve: Çmimi i naftës ndikon në prodhimin e kulturave bujqësore  

Kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, duke folur për ngritjen e çmimeve të derivateve ka thënë se bujqit po kanë vështirësi t’i mbjellin kulturat bujqësore.

Sipas tij, rritja e çmimeve të naftës ka ndikuar në kufizimin e bujqve që ta realizojnë planin e veprimtarisë bujqësore.

“Viteve të fundit, bujqve në një farë forme iu është kufizuar mundësia që ta realizojnë planin e veprimtarisë bujqësore për shumë faktorë, por më së shumti tash kanë ndikuar këto ngritje të çmimeve të naftës. Kur po flasim për naftën, tek bujqit ekziston një problematikë tjetër, nëse bujkut i mundësohet me marrë naftën ma lirë, duke ia hequr akcizën, atëherë bujku atë lehtësim duhet t’ia kthen edhe Qeverisë edhe popullit në përgjithësi sepse do t’i ulet kosto e prodhimtarisë të kulturave bujqësore, konkretisht po flasim më shumë për grurin dhe misrin”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit,  bujqit po kanë problem me koston e prodhimit.

“Edhe më herët bujqit tonë kanë pasur problem me koston e prodhimtarisë dhe përfitimet kanë qenë minimale por edhe një pjesë e bujqve kanë punuar me humbje”.

Tahiri tregoi edhe për kërkesat që kanë adresuar në Ministrinë e Bujqësisë, e që siç tha ai, mendojnë se duhet të bëhen plane më afatgjata për t’u ballafaquar me këto probleme./Teve1/