Lajme

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mbetet i shqiptarëve, zgjidhet Afrim Gashi

Me 76 vota për, 6 kundër, asnjë abstenim, Afrim Gashi nga koalicioni VLEN zgjidhet kryetar i Kuvendit.

Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet seanca konstituive e përbërjes së njëmbëdhjetë të Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

Afrim Gashi ishte propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit nga koalicioni i partive shqiptare VLEN, ndërsa ka mbështetjen edhe të VMRO-DPMNE-së, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i Partisë Alternativa, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Sipas dispozitave në fuqi, kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.

Gashi ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.

Afrim Gashi ka lindur në Shkup më 9 nëntor 1977.

/Shqip.com