Kryetari i Kukësit: Po intervenojmë nga toka e ajri t’i lokalizojmë zjarret

Kryetari i Kukësit, Safet Gjici, ka njoftuar se situara me zjarret vazhdon të mbetet ende e rëndë dhe vështirë e menaxhueshme, transmeton Shqip.
Gjici bëri të ditur se janë duke intervenuar nga toka e ajri për të shuar zjarret teksa me ndihmën e pjesëtarëve të FSK-së dhe zjarrfikësve nga Kosova situata vazhdon të mbetet nën kontroll.
“Zjarrin më të vështirë e kishim mbi Kalimashin mirëpo fatmirësisht kemi arritur që ta mbajmë nën menaxhim. Kemi dy vatra të mëdha të zjarrit dhe mjaft të rrezikshme jemi duke ndërhyrë dhe nga ajri por besoj se me të gjitha këto forca edhe toka besojmë që të arrijmë ta mbajmë nën kontroll”, ka thënë ai për Klan Kosova.
“Falë forcave që erdhën nga Kosova besoj që për dy-tre ditë të arrijmë të lokalizojmë zjarrin në Kukës”, shtoi më tej Gjici duke falënderuar Kosovën për ndihmën dhe të gjitha institucionet që kanë qenë shumë korrekt në ftesën e tyre për ndihmë në shuarjen e zjarrit.
Gjici mes tjerash bëri të ditur se “Rruga e Kombit” është e kalueshme dhe e sigurt deri tani nga zjarri.
“Ne kemi arritur të fitojmë luftën më zjarrin, Rruga e Kombit është e lirë dhe janë duke u kontrolluar nga shumë forca të sigurisë e kemi nën kontroll situatën dhe rruga është e lirë dhe e qarkullueshme”.
“Nuk ka banesa afër zjarreve deri në këto momente edhe pse erërat janë duke favorizuar shumë zjarrin”, përfundoi ai.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë nisur drejt Shqipërisë për të intervenuar në shuarjen e zjarrit që ka kapluar disa vatra. Përveç tyre në Kukës nga Kosova janë nisur edhe njësi të zjarrfikësve, të cilët tashmë kanë arritur në Kukës. /Shqip.com