Kryetari i gastronomëve e quan gënjeshtar Muratin: Është hera e parë që një politikan më rren në sy

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, i ka reaguar Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, rreth kthimit në nivelin paraprak të tatimit mbi vlerën e shtuar për gastronomët.
Kllokoqi e ka quajtur gënjeshtar ministrin dhe është shprehur se është zhgënjyer tej mase nga Murati.
“Morre RRENC, në tavolinë më ke premtuar mua dhe atyre që ishin me mua që TVSH-në ki me vazhdu ne 8% sa të egziston pandemia. Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni. Është hera e parë që një politikan më rren në sy, më falni për shprehjen RRENC por përnime jam ZHGËNJY”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.

Ministri Murati në një konfereënë për media, kishte paralajmëruar se nga janari i vitit të ardhshëm, TVSH-ja do të kthehet në 18%.
“Prej datës 1 janar të vitit 2022, do të kthehet niveli paraprak, pra 18%. TVSH-ja e ulur nga 18% në 8 për qind ka qenë e paraparë që nga fillimi pra që të jetë në fuqi nga data 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021, dhe po skadon”, ka deklaruar Murati.
Theksojmë se për shkak të pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllim që të ndihmoheshin bizneset dhe qytetarët që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga Coronavirusi.
Nëpërmjet këtij ligji, norma e TVSh-së ishte reduktuar nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi ndërsa ishte larguar për lëndën e parë të prodhuar në Kosovë si dhe transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi./Shqip.com