Kryeparlamentarja shqiptare: Të bashkëpunojmë që krimet e kryera nga Serbia të dihen botërisht

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se duhet bashkëpunim më i madh i institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri, që të bëhen të ditura botërisht krimet e kryera nga Serbia ndaj njerëzimit, përcjell Shqip.com.
Në vizitën e saj të parë zyrtare, ajo tha se ndihet e emocionuar që gjendet në Kosovë dhe se ka hapësirë të mjaftueshme për të shtuar bashkëpunimin.
”Të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë të rivitalizojmë njohjet e reja për Kosovën dhe të ndalim ofensivën e Serbisë për çnjohje. Krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht e të dijë bota se Serbia ka kryer krime ndaj njerëzimit”, tha ajo në konferencën e përbashkët me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca.
Kurse, Konjufca u shpreh se është përherë falënderues për mbështetjen që ka dhënë Shqipëria, teksa shtoi se vendin e presin shumë sfida, por përkrahja e saj e mbush me kurajo Kosovën./Shqip.com