Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti: Të gatshëm për bashkëpunim me administratën e re Trump

Pavarësisht përplasjeve me të dërguarin e SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Richard Grenell gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se qeveria e tij është e gatshme dhe interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me administratën e re të Shteteve të Bashkuara ndërsa theksoi se marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet para asaj të Uashingtonit të vitit 2020.

“Unë bëj raporte zyrtare, shtetërore dhe politike. Kush i ka raportet me kë më mirë nuk e di atë punë, nuk mund ta them tani, por duhet të presim, të japim pak kohë dhe të ecim përpara”, thotë Kurti.

Shtëpia e Bardhë siguroi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e presidentit Donald Trump.

Marrëveshja u firmos disa muaj pas rënies të qeverisë së parë të kryeministrit Kurti i cili nuk u pajtua me kërkesat amerikane për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Kjo ujdi, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. Kurti insistoi megjithate se do të ketë komunikim e bashkëpunim me presidentin e rizgjedhur amerikan.

“Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është një njëkohësisht edhe president i kaluar në një letër urimi që i kishte dërguar një pararendësi para kësaj qeverie po ashtu ka vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore për raportet e ardhshme normale midis Kosovës dhe Serbisë dhe ne dëshirojmë, jemi të gatshëm dhe shumë të interesuar ta vazhdojmë këtë bashkëpunim, pse jo ta zgjerojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim i cili shprehët jo vetëm në aspektin diplomatik…”, shton Kurti.

/Shqip.com