Kryeministri i Çekisë jep dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje

Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis, ka njoftuar për dorëheqje nga ky post.
Babis, në një konferencë për media, ka thënë se i ka shkruar letër presidentit, Milosh Zeman, për ta informuar rreth vendimit të tij.
Dorëheqja erdhi pasi Babis humbi zgjedhjet e mbajtura gjatë muajit tetor, shkruan ABC News, transmeton Shqip.com.
Ai nuk ka arritur të sigurojë shumicën në parlament, ndërkaq partitë e koalicionit kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me Babisin, të akuzuar për keqpërdorim të fondeve të BE-së.
Kryeministri çek, Andrej Babis dhe qeveria e tij kanë dhënë dorëheqjen në një hap formal të kërkuar nga Kushtetuta pas zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar.
Koalicioni liberal-konservator mes tri partive, i njohur si “Së Bashku”, fitoi zgjedhjet e 8-9 tetorit me 27.8% të votave.
Kurse, koalicioni liberal i qendrës së majtë të përbërë nga Partia Pirate dhe një grup kryebashkiakësh dhe kandidatësh të pavarur, dolën në vendin e tretë me 15.6% të votave.
Partneriteti i ri do të ketë 108 vende në dhomën e ulët të Parlamentit prej 200 ulësesh sa janë gjithsejt, kështu duke e vendosur në opozitë ANO-në, partinë dhe lëvizjen e Babis. /Shqip.com