Ekonomi

Kriza tkurri xhepin e qytetarëve, buxheti e tatimet shënuan rritje

Foto ilustruese

Sipas raporti të fundit të publikuar për vlerësimin e tremujorin e dytë të këtij viti dhe parashikimi për muajt e mbetur të 2022-ës, rritja ekonomike u ngadalësua, kryesisht si pasojë e rritjes së presioneve të përgjithshme inflacioniste në vend që ndikuan negativisht kërkesën vendore.

Për këtë vit Kosova sipas parashikimeve të BQK-së, do të ketë rritje ekonomike për vetëm 2.1 përqind, raporton Shqip.com.

Në këtë periudhë, vendi u përball me rritje të shpejtë të inflacionit, i cili në tremujorin e dytë të këtij viti ka filluar të shpërndahet edhe në sektorë tjerë, veçanërisht në atë të shërbimeve, që lë të kuptohet për bartjen e kostove të ngritura nga prodhuesit tek konsumatorët.

Sipas projeksioneve të BQK-së, norma mesatare e inflacionit për vitin 2022 pritet të jetë 11.6 përqind, ndërsa pritet të bie në 6.2 përqind gjatë vitit 2023

Rritja e inflacionit ka pasur edhe një efekt pozitiv, atë të mbushjes së buxhetit në gjysmën e vitit, shkaku i rritjes së çmimeve.

“Tё hyrat buxhetore gjatë TM2 2022 arritën vlerën neto 587.6 milionё euro (11.4 përqind rritje), përderisa shpenzimet buxhetore arritën vlerën 529.2 milionё euro (10.1 përqind rritje). Rrjedhimisht, Buxheti i Kosovës regjistroi bilanc primar buxhetor prej 58.4 milionë euro gjatё kёtij tremujori. Aktiviteti ekonomik i shoqëruar me rritje të çmimeve ka ndikuar që tatimet direkte të arrijnë vlerën prej 115.6 milionë euro në TM2 2022 apo 17.7 përqind më shumë krahasuar me TM2 2021. Si rezultat i kësaj rritje, është rritur edhe pjesëmarrja e tatimeve direkte në gjithsej të hyrat buxhetore nga 18.6 përqind sa ishte në TM2 2021 në 19.7 përqind në TM2 2022. Tatimi në të ardhurat e korporatave shënoi rritje prej 33.6 përqind, ndërsa tatimi në të ardhurat personale, si kategoria kryesore e të hyrave tatimore direkte, shënoi rritje prej 10.5 përqind. Në TM2 2022, të hyrat tatimore indirekte shënuan vlerën 439.7 milionë euro dhe përbëjnë 74.8 përqind të gjithsej të hyrave buxhetore. TVSH-ja dhe dogana shënuan rritje prej 17.0 përkatësisht 9.4 përqind, ndërsa akciza shënoi rënie prej 1.3 përqind”, thuhet në raport. 

Shpenzimet kapitale ishin 51.3 milionë euro apo 27.8 përqind më të ulëta krahasuar me TM2 2021, duke përbërë vetëm 9.7 përqind të gjithsej shpenzimeve buxhetore.

Sa i përket sektorit bankar, ai vazhdon të ketë fitime të mëdha dhe rritje të dhënies së kredive, si dhe normave të interesit.

Mirëpo, shkalla e lartë e inflacionit, vlerësohet të ketë ndikuar në uljen potenciale të të ardhurave të qytetarëve çka ka ndikuar në rritjen e rreziqeve për pagesën e kredive dhe uljen e interesit për depozita.

Njëjtë si në shumë vende edhe në Kosovë bankat ishin më të shtrënguara në dhënien e kredive.

“Rritja e normave të interesit të aplikuara nga sektori bankar u ndikua dhe pritet të ndikohet tutje deri në një masë nga faktorë jashtëm, si rritja e normave bazë të interesit nga BQE, si dhe nga faktorë vendor si kampanjat për tërheqjen e depozitave, sidomos nga bankat me kapital vendor dhe degët e bankave të huaja. Për më tepër, si masë për menaxhimin e rrezikut në rritje nga inflacioni, pothuajse të gjitha bankat kanë rritur, apo në rast të disa prej bankave kanë filluar, aplikimin e normave variabile të interesit, e që kryesisht janë të bazuara në normën EURIBOR”, thotë tutje raporti i vlerësimit tremujor.

Sektori pensional shënoi ngadalësim të rritjes krahasuar me një vit më parë. Fondi i Kursimeve Pensionale i njohur ndryshe si Trust-i, kishte kthim negativ në investime për periudhën janar-qershor, në vlerë prej 801.6 mijë euro.

Ndërkohë, emetimi i letrave me vlerë qeveritare deri në qershor 2022, ishte në nivel më të ulët se në vitin paraprak, përderisa kërkesa për të investuar në këto letra me vlerë ka vazhduar të tejkalojë ofertën e qeverisë.

/Shqip.com