Krasniqi: Qytetarët janë të zhgënjyer nga Qeveria Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi të martën mbrëma se qytetarët janë të zhgënjyer nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë që në këta muaj të qeverisjes nga Kurti, janë ndjerë “të injoruar” dhe “të zhgënjyer”.
“Tani ai (Kurti) i ka edhe tri vjet, mund të përmirësohet, mund të ndryshohet, mund të ndërrojë mendësinë edhe qasjen për çka unë konsideroj se vendi ka nevojë”, deklaroi ai në RTK.
“Nuk pranohet arroganca dhe nuk pranohet zhgënjimi”, theksoi Krasniqi.

Mes tjerash, ai foli edhe për zgjedhjet lokale në Kosovë, rezultatin e PDK-së, si dhe fushatën e partive të tjera.
Ai veçanërisht përmendi Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti, i cili sipas Krasniqit, ka menduar se vetëm prania e tij do t’ia fitonte zgjedhjet komunale.
“Ne kandiduam me emra të veçantë dhe me kandidatët më të mirë, ndërkaq Albin Kurti mendoi se vetëm prania e tij do t’ia fitonte zgjedhjet nëpër komuna”, pohoi i pari i PDK-së.
Krasniqi u pyet edhe lidhur me rezultatin në komunën e Dragashit, e cila është në një proces gjyqësor për zgjedhjet e fundit për balotazh.
Krasniqi tha se nuk dua të interpretojë vendimin e PZAP-it pasi që për momentin është duke u zhvilluar një proces gjyqësor.
“Por një gjë mund të them se qytetarët e kësaj komune nëpërmjet vullnetit të lirë e kanë dhënë verdiktin e tyre për kryetarin aktual Shaban Shabanin”.
“Megjithatë ne jemi një parti politike që gjithmonë i kemi pranuar rezultatet zgjedhore dhe nëse ky institucion i pavarur bjen një vendim, ne gjithsesi se do ta pranojmë ashtu”, tha ai.
Në Kosovë u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale më 14 nëntor, Partia Demokratike e Kosovës fitoi 9 komuna. LDK 7 komuna, AAK 5 komuna dhe Vetëvendosja vetëm 4 komuna./SHQIP.com