Lajme

Krasniqi për masakrën e Poklekut: Asnjë kriminel serb nuk ka dalë ende para drejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në fshatin Poklek, në nder të 24-vjetorit të masakrës.

Ai tha se dhimbja shtohet më shumë “kur dihet që asnjë nga kriminelët serbë, pjesëmarrës në këtë masakër, nuk kanë dalë para drejtësisë deri më sot”.

Krasniqi tha tutje se shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojë këto krime – derisa ato të zbardhen dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.

Sot shënohet 24-vjetori i Masakrës Poklekut dhe Çikatovë të Vjetër në Drenas, ku u vranë 77 civilë nga policia serbe, gjatë vitit 1999.

Ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

/Shqip.com