Lajme

Krasniqi: Kosova e ka traditë mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huave

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shprehur mbështetjen e plotë për strehimin e shtetasve afganë në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se Kosova e ka traditë mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huave, për shkak se jemi edhe si popull që kemi vuajtur shumë dhe se kjo është mundësi për shprehur mirënjohjen tonë ndaj aleatëve tanë amerikanë.

“Jo vetëm si kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që është një mundësi për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj aleatëve tanë amerikanë për gjithë atë që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë për ne, por mikpritjen dhe ndihmën ndaj të huajve që janë në vështirësi ne e kemi traditë kombëtare dhe obligim moral, si një popull që ka vuajtur shumë e që kemi përfituar prej ndihmës së ardhur nga jashtë”.

Kreu i PDK-së shtoi gjithashtu se Kosova është e gatshme që me mundësit e saj të jap kontributin e saj.

“Pranimi i këtyre refugjatëve të luftës është një dëshmi se Kosova nuk është vetëm konsumatore ndihme, por është e gatshme që me të gjitha mundësitë e saj të japë kontributin që i takon në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar”.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë pëlqimin e saj që t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e përkohshëm të një numri refugjatesh nga Afganistani.

Osmani tregoi se Qeveria e Kosovës e ka formuar një grup punues për këtë çështje, pas kërkesës amerikane.

Ndërsa, ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka shprehur mirënjohjen e saj për vendet që kanë pranuar të mirëpresin refugjatët afganë.

Në mesin e këtyre shteteve janë edhe Kosova dhe Shqipëria.

Albright në një postim në Twitter ka thënë se duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan.

“Përderisa SHBA-ja po punon që t’i evakuojë ata në rrezik të veçantë nga talibanët, i jam mirënjohëse Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë Veriore që kanë ofruar strehim për aleatët afganë, e posaçërisht për gratë dhe liderët e shoqërisë civile dhe pres edhe nga të tjerët që ta bëjnë këtë”, ka shkruar ajo./SHQIP.com