Krasniqi kërkon që Ligji për pagat të miratohet sa më shpejt

“Ligji për pagat duhet të miratohet dhe zbatohet sa më parë, që të gjithë punonjësit të trajtohen dinjitetshëm në raport me punën e tyre”.
Kështu deklaroi të mërkurën kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook.
Për këtë temë dhe siç tha ai, për të adresuar sfidat dhe shqetësimet e shërbyesve civilë të Kosovës, së bashku me kryetarin e Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, këtë të mërkurë kanë takuar kryetarin e Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, Mursel Zymberi me bashkëpunëtorët e tij.
“Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë këtë ligj dhe do të avokoj në miratimin e tij, si zgjidhja e vetme për të eliminuar pabarazitë e për të vendosur meritokraci”, ka shkruar i pari i PDK-së.
Në lidhje me këtë çështje, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka mbajtur protestë para ndërtesës së Qeverisë.
Kërkesat e tyre ishin rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga Janari i vitit 2022 si dhe senzibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësor.
Protestë kanë paralajmëruar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës.
Kjo sindikatë, do të protestojë më 4 dhjetor për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave.
Ky vendim u mor në mbledhjen e jashtëzakonshme që SBAShK mbajti me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve më 12 nëntor./Shqip.com