Lajme

Krasniqi i përgjigjet Abdixhikut: Të shkurtojmë kohëzgjatjen e fushatës konvencionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një letre sot propozoi që fushata zgjedhore prej 30 ditësh të shkurtohet në 10 ditë, shkruan Shqip.com.

Në letrën e tij, Krasniqi tha se secili duhet të përpiqet të kontribuojë në tejkalimin e situatës së rëndë të krijuar nga pandemia COVID-19.

“Kjo tragjedi që po kushton me dhjetëra jetë të humbura të qytetarëve të Republikës së Kosovës për çdo ditë, na ka vënë e duhet të na vejë të gjithëve në lëvizje, duke parë përtej dallimeve politike, me qëllim që secili nga ne të përpiqemi të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate të rëndë. Aq më tepër, situata na ndërgjegjëson që të përpiqemi të kontribuojmë në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të kësaj gjendjeje”, ka shkruar Krasniqi në letrën që ia ka kthyer Abdixhikut.

Krasniqi po ashtu ka thënë se PDK-ja konsideron se shëndeti i qytetarëve të Kosovës është prioritet themelor, i cili duhet të mbrohet dhe të sigurohet para çdo agjende tjetër.

“Në vijim të letrës suaj, Partia Demokratike e Kosovës ndanë mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”. /Shqip.com