Lajme

Krasniqi: Qeveria mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos dorëzohet para barrikadave të vendosura në Veri të Kosovës.

Ai këtë deklaratë e bëri gjatë takimit me Këshillin Politik të PDK-së, ku sipas tij në këtë mbledhje është diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Sot kam takuar Këshillin Politik të PDK-së, me të cilin kemi diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë. Bashkë me Koordinatorin, Akademik Arsim Bajrami, kemi shprehur shqetësimin e madh me realitetin e ri i cili po tentohet të krijohet në pjesën veriore të Kosovës. Injorimi që Qeveria ia ka bërë kësaj situate vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve. Edhe një herë, i bëjmë thirrje Qeverisë që mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk kërkon kompromis, por lidership shtetëror”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje, i pari i PDK-së ka thënë se me Këshillin Politike kanë diskutuar edhe për pranimin me të drejtat e plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratikëve të Evropës.

Këshilli Politik (PDK)

“Me Këshillin Politik kemi diskutuar edhe për pranimin me të drejta të plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE). Pranimi në ALDE vjen si konfirmim i përbrendësimit të vlerave evropiane dhe njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti. Në një takim të ndarë kam takuar edhe Kryetarët e Degëve të PDK-së, me të cilët diskutuam për zhvillimet politike, projektet komunale dhe, me theks të veçantë, diskriminimin që Qeveria po u bën komunave që udhëhiqen nga PDK. Me Kryetarët e Degëve folëm edhe për ecurinë e zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës, të cilat, këtë herë, do të shënojnë një sukses të jashtëzakonshëm për demokracinë dhe fuqizimin e partisë”, ka shkruar në Facebook Krasniqi.

/Shqip.com