KQZ ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë për kryetar të Dragashit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deri më tash 332 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë për kryetar të Dragashit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Shqip.com, ka njoftuar se ky proces ka filluar më 29 nëntor, dhe pakot e supozuara me fletëvotime do të pranohen më së largu deri më 13 dhjetor.
“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor.
Deri më tani, KQZ ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor”, tha ndër tjerash Elezi.
Po ashtu, Elezi bëri të ditur se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm një mijë e 90 votues jashtë Kosovës që janë nga Komuna e Dragashit.
Ndryshe, votimi me postë në komunën e Dragashit është ripërsëritur me vendim të Gjykatës Supreme.
Supremja kishte marrë për bazë ankesat e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, i cili kishte bërë ankesë se të gjitha fletëvotimet nga jashtë, janë nënshkruar nga një person i vetëm./SHQIP.com