Lajme

Kosovës i kërkohet një draft-statut për Asociacionin

Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE
Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i kërkojnë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta përgatis një draft për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Abbott i kërkoi që statutin ta hartojë duke u mbështetur në vizionin që ai e prezantoi në takimin e fundit me presidentin serb, Aleksnadar Vuçiq, ndërsa Rohde thotë se duan ta shohin një draft me ide konkrete për Asociacionin.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajça i cili ishte javën e kaluar në Prishtinë, ia ka dhënë një metodologji për formimin e kësaj bashkësie komunash.

Drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga Ekipi Menaxhues në takimin e 2 majit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq u hodh poshtë nga ana e Kosovës dhe serbët që e hartuan u shkarkuan menjëherë.

Megjithatë, Kosova duhet ta formojë njëfarë Asociacioni. Këtë detyrim e ka pranuar edhe kryeministri Kurti në marrëveshjen e fundit të arritur me Vuçiqin për rrugën drejt normalizimit.

Kurti e ka një ide, inspiruar në modelin kroat. Në takimin e fundit me Vuçiqin, ai ka propozuar një “draft-vizion” për punën e rregullimit të komunitetit serb në Kosovë. Por Gjermania dhe tash Mbretëria e Bashkuar, po i kërkojnë atij që të bëhet më konkret – ta hartojë një draft-statut për Asociacionin.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, javën e kaluar tha se ka ardhur koha që Kosova ta propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke treguar se “aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

“Pra, tani është koha që Kosova ta propozojë zyrtarisht një draft statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka shkruar Abbott në Facebook.

Të njëjtën gjë e kërkoi të martën edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pas një takimi me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme. Tha se vizioni i paraqitur i Kurtit nuk mjafton.

“Drafti më i mirë mund të përgatitet nga vetë Kosova për Kosovën. Një vizion nuk është draft. Çka na duhet nga Kosova sa më parë është një draft, që të shohim se çfarë idesh konkrete ka për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ky, mendoj që është obligim i Kosovës për ta sjellë përpara këtë proces”, tha Rohde.

Ndryshe, pasi e konsideroi të papranueshëm draftin e propozuar nga ekipi serb, kryeministri Albin Kurti mbrëmjen e 2 majit dha pak detaje për propozimin e tij, të cilin e quajti “draft-vizion”.

Për propozimin e dorëzuar prej tij, Kurti ka kërkuar që diskutimet të fillojnë “sa më parë”.

“Unë ua thashë në mënyrë të argumentuar, të arsyeshme, të logjikshme se është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë dhe rrjedhimisht është mirë që sa më parë të fillojmë diskutimet mbi bazën e një draft vizioni vleror çfarë kam propozuar unë sot”, tha Kurti më 2 maj.

Kurti tha se draft-vizioni i tij u inspirua “prej një marrëveshje që ka bërë Serbia me Kroacinë”.

/Shqip.com