Kosovari i arrestuar nga Policia e Serbisë është familjar i kryetarit të Deçanit

Abaz Beiqiraj nga fshati Baballoq i Deçanit, është i arrestuari nga autoritetet serbe në kufirin Hungari-Serbi, dhe i njëjti është familjar i Kryetarit të kësaj komune, Bashkim Ramosaj.
Ramosaj ka bërë të ditur për Shqip.com, se familjarët e Beqirajt janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritet atje dhe ka bërë të ditur se e ka telefonuar edhe agjencinë turistike me të cilën i arrestuari ishte duke udhëtuar.
“Është ndaluar nga autoritetet serbe rreth orës 11:00 në kufirin Hungari-Serbi. Ka qenë duke u kthyer nga Gjermania, ku kishte shkuar me vizë turistike për t’i takuar familjarët e tij. Arrestimi i tij është bërë nën pretekstin se e ka një gjobë të papaguar nga vitit 2010, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë pasi Abazi nuk ka udhëtuar për në Gjermani më parë, pra kjo është hera e parë”, ka thënë Ramosaj.
Kryetari i Deçanit gjithashtu ka treguar se Beqiraj do të mbahet i bllokuar në kufi deri nesër, kur do të paraqitet para gjyqtarit.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reagua pas arrestimit të kosovarit nga Policia e Serbisë.
Nga MPJD kanë thënë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka filluar kontaktin me autoritetet serbe./Shqip.com