Lajme

Kosova synon Kartonin e Gjelbërt përmes një shteti tjetër

Pika kufitare në Jarinje
Pika kufitare në Jarinje

Shteti i Kosovës shumë shpejtë pritet që të bëhet pjesë e shteteve tjera anëtarë për tu pajisur me Kartonin e Gjelbërt.

Këtë Kosova po mundohet ta arrijë përmes një shtetit tjetër pasi që vetëm nuk është e mundur, raporton Radio Evropa e Lirë.

Përfaqësues të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) thonë se, gjatë korrikut, pritet të mbajnë një takim me Këshillin e Byrosë Evropiane, i cili siguron Kartonin e Gjelbër, për të diskutuar mundësinë e tillë.

“Ne duhet të marrim një aprovim nga Këshilli i Byrosë Evropiane [në Bruksel] për të bërë një marrëveshje me një shtet tjetër, në mënyrë që edhe Kosova, përmes Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të ketë Kartonin e Gjelbër. Pa qenë pjesë e OKB-së, ne nuk mund të anëtarësohemi në Këshillin e Byrosë Evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sami Mazreku, drejtor ekzekutiv i BKS-së.

Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.

Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër. Ky karton merret kur sigurohet vetura dhe vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim

Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se kjo është arritur pas fillimit të aplikimit të tiketave ngjitëse të regjistrimit, si dhe me nxjerrjen e një udhëzimin administrativ, sipas të cilit, automjetet që nuk regjistrohen dy vjet me radhë, largohen nga lista e automjeteve të paregjistruara.

“Me këto masa, muajin e kaluar, ne kemi arritur në vlerën 5 për qind të automjeteve të paregjistruara. Tashmë, kriteret teknike [për Kartonin e Gjelbër] janë plotësuar. Pasi që nuk jemi vend anëtar i OKB-së, kjo na e vështirëson aplikimin për Karton të Gjelbër. Megjithatë, jemi duke hulumtuar dhe trajtuar zgjidhjet që na mundësojnë realizimin sa më të shpejtë të qëllimit tonë”, thotë Kryeziu

Në vitin 2020, Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit janë marrë veshë për të mbuluar primin e sigurimit kufitar për bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës./Shqip.com