Kosova nuk përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA

Kosova do të përfaqësohet tani nga institucionet dhe zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pas një vendimi të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për ta pranuar kërkesën e saj për heqjen e UNMIK-ut nga roli i përfaqësuesit.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha të mërkurën në një konferencë për media se “nga sot, në takimet e komiteteve të përbashkëta, Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”.
Kosova ishte përfaqësuar në CEFTA – marrëveshjen që synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve – përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.
“Pjesëmarrja përmes UNMIK-ut në CEFTA është larguar përfundimisht, kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit të Kosovës për ta rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm”, tha Hajdari pas takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, i kryesuar nga Serbia, në Beograd.
Ajo tha se Kosova e bëri këtë kërkesë në vitin 2021 dhe prej atëherë e kishte bllokuar punën në CEFTA për të bërë trysni në pranimin e kërkesës së saj.
“Ishin 13 vendime të dërguara në pritje për miratim që nga dërgimi i letrës sonë… ishte përkushtimi i Kosovës që të mos i miratojë këto vendime pa u miratuar kërkesa e Kosovës për largim të UNMIK-ut, që ishte kërkesa e parë e Kosovës në takime në këto tri vjet”, shtoi ajo.
Të gjitha ato vendime, sipas saj, u miratuan pas pranimit të kërkesës së Kosovës, duke bërë që të zhbllokohet puna në CEFTA.
Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tha se pranë emrit të Kosovës në CEFTA do të ketë një yll, apo fusnotë.
/Shqip.com