Ekonomi

Kosova hap negociatat për Marrëveshjen Ndërkombëtare për Tregti të Lirë me shtetet e EFTA-s

Përfaqsuesit e Kosovës dhe Shteteve anëtare të EFTA-s

Kosova dhe Shtetet anëtare të EFTA-s (Norvegjia, Zvicrra, Islanda dhe Lihtenshtajni,) janë takuar në Gjenevë për raundin e parë të negociatave drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë.

Sipas njoftimit për media thuhet se palët negociuse diskutuan mbi tregtinë e mallrave, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, masat sanitare dhe fitosanitare, barrierat teknike në tregti, konkurrencën, mjetet juridike tregtare, çështjet ligjore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Ndërsa, investimet, shërbimet dhe prokurimet qeveritare u trajtuan në nivel të krerëve të delegacioneve dhe u pajtuan që po në këtë nivel të diskutohen përsëri në rundin e dytë të negociatave që do të mbahet në Republikën e Kosovës.

“Shtetet e EFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë të Republikës së Kosovës. Shkëmbimet tregtare me këto vende kanë shënuar vazhdimisht rritje”.

Tutje thuhet se sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në vitin 2019 eksportet e Kosovës ishin 26.28 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 eksportet u rritën dukshëm, duke shënuar 52.09 milionë euro. Ndërsa sa i përket importeve nga shtetet EFTA-s, në vitin 2019 vlera e importeve ishte 33,86 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ishte 35,6 milionë euro, rrjedhimisht një bilanc tregtar pozitiv.

“Synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është zgjerimi i mëtejshëm i prezencës së produkteve të Kosovës në tregjet e EFTA-s, krijimi i një ambienti konkurrues, eliminimi i barrierave tregtare me fokus te veçantë rritjen e eksporteve dhe investimeve”.

Me tej është shkruar se diskutimet ishin konstruktive dhe hapën rrugën për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë reciprokisht të dobishme. Delegacionet u dakorduan për të mbajtur një raund të dytë të negociatave tregtare në Prishtinë deri në fund të vitit 2022./SHQIP.com