Lajme

“Kosova e hapur për t’i strehuar afganët”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e hapur për t`i strehuar qytetarët e Afganistanit.

Këtë e ka thënë të enjten në takim me ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend, duke përfshirë përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Osmani ka përsëritur qëndrimin se ai duhet të rezultojë me marrëveshje të detyrueshme, e cila e siguron njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Ndër të tjera në takim është diskutuar edhe për çështje të interesit të dyanshëm.

“Përfshirë nxitjen e investimeve austriake në Kosovë, bashkëpunimin në fushën e arsimit, në projekte, investime potenciale, bujqësi etj”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.  

Osmani ka falënderuar Austrinë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme historike./SHQIP.com

Presidentja Osmani në takim me ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger (Foto: Presidenca)