Kosova diskuton për përshpejtim të procedurave për blerje të armatimeve

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë vizitës në Pentagon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shprehur nevojën e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mjete ushtarake dhe armatim.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj tha se në këtë takim është diskutuar edhe rritja e bashkëpunimit në mes FSK-së dhe ushtrisë amerikane.

“Furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me pajisjet më moderne ushtarake është synimi ynë, andaj edhe gjatë takimit me ushtruesin e detyrës të Ndihmës Sekretarit të Ushtrisë për Blerje, Logjistikë dhe Teknologji në Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Douglas R. Bush, diskutuam rreth nevojave të FSK-së për armatime, rëndësisë së përshpejtimit të procedurave të prokurimit të këtyre pajisjeve, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit duke rritur numrin e trajnimeve, shkollimin e oficerëve dhe stërvitjeve të përbashkëta”, shkroi Mehaj.
Në këtë takim, Mehaj e ka njoftuar Bush për përgatitjet intensive që bëhen nga FSK-ja.

“Në kuadër të këtij bashkëpunimi e njoftova dhe për përgatitjet intensive që FSK është duke zhvilluar sa i përket ushtrimit ” DEFENDER ’23”, ku FSK do të marr pjesë me mbi 1300 pjesëtarë, dhe ku pritet validimi i një regjimenti të këmbësorisë”.
Tutje, Mehaj tha se FSK-ja është e përkushtuar për plotësimin e të gjitha standardeve të NATO-s në fushën ushtarake.
/Shqip.com