Lajme

Kosova dhe Serbia takohen sot në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve

Ilustrim

Takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve, do të mbahet këtë të martë në Bruksel.

“Takimi i ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve do të zhvillohet në Bruksel më 22 shkurt, mikpritës i të cilit do të jetë i dërguari i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak”, kanë konfirmuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim, i pari për këtë vit, pritet të diskutohet për të pagjeturit dhe për arritjen e marrëveshjes së përhershme për targat.

Zyrtarët serbë kanë paralajmëruar se përveç këtyre dy temave do të diskutojnë edhe për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha për transmetuesin publik serb, RTS, se në Bruksel do të bisedohet “për të pagjeturit, gjyqësorin, por edhe për zgjedhjet e 3 prillit, sepse ato duhet të mbahen në Kosovë”.

Lidhur me këto deklarata, Shqip.com ka provuar të marrë përgjigje nga zëdhnësit e Qeverisë së Kosovës, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Ndërkohë, Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, njoftoi ditë më parë se ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin mes tjerash tha se kanë biseduar edhe për zgjedhjet e Serbisë që do të mbahen me 3 prill.

“Telefonatë fantastike me kryeministrin Albin Kurti. Rikonfirmova mbështetjen e palëkundur për sovranitetin e Kosovës. Përpara kemi zgjedhjet e Serbisë në prill”.

“U diskutuan rastet kur shtetet e OSBE-së i kane pranuar kërkesat e shteteve të tjera për t’u lejuar votimi fizikisht. Falënderoj Kosovën për bujarinë e saj që priti afganët”, ka shkruar ai në rrjetin social “Twitter”.     

Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill. Autoritetet serbe kanë kërkuar që këto zgjedhje të mbahen edhe në Kosovë. Sipas tyre, serbëve nuk duhet t’u mohohet kjo e drejtë.

Madje, drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka paralajmëruar pasoja “të paparashikueshme” nëse nuk lejohet mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Kosovë.

Ndërsa, institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do ta lejojnë këtë gjë./SHQIP.com