Kosova dërgon dhjetëra mostra në Gjermani për testim të Omicronit

Dhjetëra mostra për testim të variantit Omicron, do të nisen të marten nga Kosova drejt Gjermanisë, transmeton Shqip.com.
Rezultatet e tyre pritet të vijnë brenda tre apo katër javësh.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Xhevat Jakupi.
“Po, nesër do të nisen dhjetëra mostra për testim të variantit Omicron. Numri i saktë i mostrave do të dihet nesër në mëngjes. Rezultatet i presim pasi të përpunohen në laborator atje në Gjermani”, ka thënë Jakupi, raporton ‘Koha’.
Varianti Omicron, i shfaqur për herë të parë në Afrikën e Jugut, është konsideruar “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kjo ka bërë që shumë vende të ashpërsojnë masat anti-COVID për të frenuar një valë tjetër të mundshme.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës dje njoftoi për masat e reja anti-COVID, që janë marrë me arsyetimin e paraqitjes së këtij varianti në rajon. /Shqip.com