Kulturë

Kori “Siparantum” nga Kosova, pjesë e festivalit evropian të muzikës korale

Kori Siparantum do të jetë pjesë e festivalit evropian, “European Music Festival for Young People”.

Festivali do të mbahet në Belgjikë më 29 Prill deri 2 Maj 2022.

Dirigjenti Memli Kelemendi, pjesëmarrjen në këtë festival e ka cilësuar si shumë të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e kulturës korale të Kosovës.

“Qëllimi i këtyre festivaleve është pikërisht shkëmbimi i kulturave të ndryshme. Sigurisht, ne në fokus çdoherë kemi promovimin e vlerave tona në botë, përpos repertorit tonë kolosal kemi edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë”, tha Kelmendi për Shqip.com.

Kori Spirantum, pavarësisht ngarkesës së punës, ka aplikuar në dy kategori, për këtë Kelmendi, thotë se janë mjaft të përgatitur.

“Sigurisht që kjo për gjithë neve është një ngarkesë shtesë, mirëpo ne përgjatë këtyre muajve kemi punuar shumë prandaj kemi konsideruar që ne jemi të gatshëm të aplikojmë në dy kategori”, shtoi ai.

“Programi ynë paraqet vepra stilistike të periudhave të ndryshme që ne në fokus kemi çdoherë muzikën bashkëkohore. Porpos “Competition”, ne jemi selektuar për të qenë pjesë e ceremonisë “Happening”. Disa prej pikave do të shoqërohen nga pianisti ynë, Agron Shujaku”.

Ftesa për pjesëmarrje në Festivale, Kelmendi thotë se është mjaft e madhe, por sipas tij për t’i realizuar të gjitha duhet një kosto e lartë financiare, e për këtë nuk është se kanë përkrahje të madhe nga institucionet shtetërore.

“Mendoj që institucionet tona duhet të shohin prioritet aktivitete të tilla sepse fundja ne, gjithë artistët prezantojmë shtetin tonë dhe kulturën tonë përgjithësisht. Prandaj, mendoj që në të ardhmen duhet të kemi këtë çështje si prioritet”, tha ai.

E kjo punën po ua vështirëson edhe anëtarëve të korit, pavarësisht motivit që e kanë për të prezantuar kulturën kosovare.

“Gjithmonë për ne ajo që paraqet vështirësi është çështja financiare. Në korin tonë tashmë kemi anëtarë që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës (të gjithë vullnetarë), prandaj përballemi me vështirësi të provave, jo të gjitha ftesat që vijnë janë të realizueshme”, shtoi Kelmendi.

Kori Siparantum, në Belgjikë do të paraqitet pranë një jurie profesionale.

Ndërkaq, rikujtojmë që kori Siparantum, së fundi është shpallur fitues i kategorisë “Musica Contemporanea” në World Choir Games (2021).

E, po ashtu është paraqitur me sukses edhe në sallën më të njohur të muzikës klasike, Berlin Philharmonie./Shqip.com