Korenica i gatshëm të luajë për Shqipërinë

Ballkani është duke shkruar histori në futbollin e Kosovës, ndërsa një nga pikat kyçe në formacionin e skuadrës është edhe Meriton Korenica. Futbollisti 25-vjeçar ka bërë shumë mirë me fanellën e skuadrës suharekase dhe tashmë po shijon momentet më të lumtura në karrierën e tij. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Korenica rrëfen më tepër rreth këtij Ballkani të jashtëzakonshëm. Mesfushori nga Kosova tregon se jep gjithmonë më të mirën për të ndihmuar ekipin, ndërsa më tej pranon se një detajist si Ilir Daja ka ngritur lojtarët në nivelin e tyre më të lartë.

“Jam munduar gjithmonë të jap maksimumin dhe të ndihmoj ekipin. E prisja, se kam punuar shumë mirë dhe gjithmonë jam i gatshëm të jap më të mirën. Golat janë motiv shtesë dhe shpresoj të ndihmoj ekipin ende më shumë. Trajneri Daja më ka ndihmuar shumë duke më këshilluar dhe duke më dhënë detyrat që duhet ti kryej në lojë. Jam munduar gjithmonë ti kryej ato që m‘i ka dhënë si mua, ashtu edhe ekipit. Është një detajist i madh dhe gjithmonë e kërkon maksimumin, si në stërvitje, ashtu edhe në lojë. Mundohet të nxjerri më të mirën që ka një lojtar. Është një trajner me shumë eksperiencë dhe kjo na ka ndihmuar edhe ne shumë në garat evropiane”.
25-vjeçari ka folur edhe për Kombëtaren. Pjesë e ekipeve zinxhirë të Kosovës, por fanellën e ekipit A ende nuk e ka provuar. Sigurisht, zgjedhjet e tij janë dy. Në njërën anë Kosova, e në tjetër është Shqipëria. Për të është një ëndërr të luajë për një prej dy përfaqësueseve të shqiptarëve.
“Kombëtarja është një ëndërr. Unë isha në të gjitha grupmoshat nga U19 deri në U21-shin e Kosovës dhe nuk jam ftuar asnjëherë në Kombëtaren A. Jam i gatshëm gjithmonë. Për momentin nuk kam ftesë as nga Shqipëria, as nga Kosova, por të dyja janë ëndërr“, është shprehur Meriton Korenica.
/Shqip.com