“Kroacia ia rrëmben Rusisë – biletën për në Katar”

Ani pse me probleme të shumta dhe me sfidën e ndërrimit të gjeneratave, Kroacia e ka siguruar biletën për në Katar.
Skuadra e udhëhequr nga Zlatko Dalić e ka mposhtur Rusinë me rezultat minimal 1-0 dhe është kualifikuar në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, shkruan Shqip.com.
Kroatët ishin dominues nga minuta e parë, por kaluan 81 minuta, deri kur u realizua goli i vetëm.
Ishte futbollisti rus, Kudrusahov që e dërgoi topin në rrjetë, por në portën e gabuar.
Ky gol ishte i vlefshëm për tre pikë të arta të Kroacisë, që tashmë e ka siguruar kualifikimin tutje.
Me këto tri pikë, kroatët arrijnë në kuotën e gjithsej 23 pikëve, ndërsa kanë shtatë fitore, dy barazime dhë një humbje.
Në anën tjetër, kombëtarja ruse, mbetet në vendin e dytë, me një pikë më pak dhe pjesëmarrjen në Katar do e kërkojnë përmes ndeshjes së play-offit.
Deri në këtë takim, Rusia ishte lidere e Grupit H./Shqip.com