Lajme

Konjufca takon ambasadoren e Greqisë, kërkon përkrahje për liberalizim të vizave për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës sot gjatë ditës ka pritur në një takim ambasadoren e Greqisë, Heleni Vakali.

Fillimisht Konjufca ka uruar për detyrën e re ambasadoren greke, Vakali.

Sipas njoftimit për media në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi midis dy vendeve.

‘’Konjufca po ashtu i vlerësoi marrëdhëniet e mira  mes shteteve tona dhe çmoi përkrahjen e Greqisë, duke shprehur njëherësh gatishmërinë e avancimit të raporteve ndërshtetërore dhe thellimin e bashkëpunimit në projekte të ndryshme me interes të përbashkët’’ thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu Kryetari i Kuvendit ritheksoi rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, mbështetjen për proceset e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe kërkoi përkrahjen për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare. 

Në takim u shpreh gatishmëria për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë./Shqip.com