Lajme

Konjufca takohet me ambasadoren e Sllovenisë, flasin për raportet mes dy vendeve

Glauk Konjufca dhe ambasadorja sllvoene, Minca Benedejçiq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të hënën në takim ambasadoren e Sllovenisë në Prishtinë, Minca Benedejçiq.

Me këtë rast, ambasadorja Benedejçiq konfirmoi angazhimin e vendit të saj në fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy shteteve, si dhe vazhdimin e përkrahjes së Kosovës në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë në procesin e integrimit euro-atlantik.

Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, pasi i uroi suksese ambasadores sllovene, e njoftoi atë lidhur me angazhimet e Kuvendit për miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së.

Lexo edhe:
Abdixhiku: Për ta ruajtur shëndetin e qyetarëve do të kemi fushatë pesë ditë apo fare

“Duke çmuar lart bashkëpunimin e deritashëm në mes të dy vendeve dhe duke shprehur gatishmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi, Konjufca theksoi se pret nga Sllovenia, shtet i cili aktualisht kryeson Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, që të përkrahë Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe ta ndihmojë në rrugën integruese për në BE”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Raportet mes Kosovës dhe Sllovenisë janë të theksuara sidomos në sferën tregtare. /Shqip.com