Konjufca: Rënia heroike e komandant Zahirit me shokë shënon një ndër aktet më sublime në kapitullin e luftës

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar tre dëshmorët Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
Konjufca përmes një postimi në Facebook ka shkruar se 25 vite më parë janë përjetësuar në altarin e lirisë strategët dhe themeluesit e bazave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Rënia heroike e komandant Zahirit me shokë shënon një ndër aktet më sublime në kapitullin e luftës sonë për liri dhe çlirim nga Serbia. Ata vendosën të të vdesin në këmbë, duke mos e pranuar gjunjëzimin. Dhe kështu e frymëzuan një popull të tërë në rrugën e pa kompromis të çlirimit”, ka shkruar Konjufca.
Ai ndër të tjera ka thënë se populli i Kosovës gjithmonë do ta kujtojë me nderim e respekt luftën e UÇK-së.
“Populli ynë do ta kujtojë me nderim e respekt të përhershëm luftën e lavdishme të UÇK-së, sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Kreu i Kuvendit.

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike, ku tre heronjtë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese serbe në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë.
Zahir Pajaziti ishte një ndër themeluesit e UÇK-së dhe një ndër komandantët më të shquar të saj. Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës Urdhrin “Hero i Kosovës”. /SHQIP.com