Lajme

Konjufca: Numri i grave të angazhuara politikisht është rritur vazhdimisht, roli i tyre është i pazëvendësueshëm

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës
Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca shënjuese me ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme. Aty, u vlerësua lartë roli dhe kontributi i ish-deputeteve ndër vite, raporton EO.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm.

“Në këto ditë si sot nuk mund të mos i kujtojmë gratë intelektuale. Në historinë e re të Kosovës, numri i grave të angazhuara politikisht është rritur vazhdimisht, dhe roli i tyre është i pazëvendësueshëm”, ka deklaruar Konufca.

Në seancë ishin ish-deputete si Kaqusha Jashari, Flora Brovina, Besa Gaxherri e shumë të tjera.

Ish-deputetja, Flora Brovina ka thënë se rruga deri tek këto ulëse nuk ka qenë e lehtë.

“Askush nuk na i dhuroi këto ulëse sepse jemi gra, por ishte dëshira të marrim pjesë në çdo lëvizje” , ka theksuar ajo.

Ish deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, u shfaq në foltore me një bluzë mbi të cilën ishte fotografia e të ndjerës Liridona Ademaj e cila u vra muaj më parë.

“Në memorien time dua të kthej tri momente të grupit të grave deputeteve kur jemi bërë bashkë e ka pas momente kur unë përkundër grupin tim parlamentar kam votuar diçka tjetër se ka qenë në interes të gruas. Për herë të parë është ndarë buxhet me propozimin e grave, e unë dua të falënderoj ato qe kanë filluar e krijuar këtë grup duke iu dalluar historia që keni dhënë”, tha ajo.

Ajo përmendi vrasjen e Liridona Ademajt duke thënë se edhe sot e kësaj dite ndihet ë trishtuar nga ajo ngjarje që pasqyron realitetit ne vend.

“Jo rastësisht vendosa ta përmend këtë rast në këtë takim, kur këto ngjarje janë shndërruar ne dukuri. Nuk duhet të lejojmë që kjo dukuri të lëshoj rrënjë, nuk mund të mendohet një shoqëri demokratike kur ka ngjarje të tilla andaj të nderuara deputete kudo që jeni të rrisim përgjegjësinë që kemi”, tha Haxhiu.

Ish-deputetja e VV-së, Albana Gashi, tha se ndihet krenare që ishte pjesë e miratimit ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Të qenurit grua në politike është ndonjëherë pune e lodhshme jo nga puna por nga mosbarazia. Për të qenë grua e suksesshme duhet të punosh më shumë se sa një burrë, e standardet e dyfishta e bëjnë më të vështirë karrierën, iu lus grave deputetëve pa dallim të vazhdoni për gratë e vajzat qe kanë nevojë për mbështetje”, tha Gashi.

E Besa Gaxheri nga LDK, tha se rrugëtimi i grave në politikën kosovare është i dhimbshëm e aq krenar.

“Grupi jo formal i deputeteve të Kosovës i themeluar në vitin 2005, me shumë sfida u krijua me të gjitha anëtaret e grupeve parlamentare. Rrugëtimi i këtij grupi jo formal tashmë ka rezultate të veta, kontributi i grave në LDK ka angazhim në projektligje të shumta. Kemi hap shumë dyer e thyer tabu por çdo grua e veçanti ajo në politike ka obligim të krijoj imazh te mirë për qytetarët tanë, për një arsim e shëndetësi me cilësi më të mirë”, tha Gaxherri.

Seanca është thirrur nga Grupi Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës ku tema është “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”.

/Shqip.com