Lajme

Konjufca flet për mundësinë e liberalizimit të vizave, shpresojë të futet në agjendë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur për mundësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pas një takimi të zhvilluar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Konjufca është shprehur se nëse Kosova është në agjendë, atëherë liberalizimi i vizave mund të ndodhë.

“Shpresojmë shumë që në takimin e radhës presidenti i Francës, Macron  së bashku më koordinim me kancelarin gjerman Scholz të fusin në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën e nëse futet në agjendë atëherë unë besoj shumë që Kosovës do ti mundësohet liberalizimi i vizave” është shprehur Konjufca para mediave.

Sot gjatë ditës Këshilli Evropian ka bërë publike agjendën e takimit të 23 dhe 24 qershorit, dhe në këtë agjendë nuk është përfshirë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Mirëpo gjasat që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të diskutohet në Këshillin Evropian janë të mëdhaja, kjo pasi që në njërën prej pikave të agjendës që ndërlidhet me çështjet e politikës së jashtme, thuhet se “në dritën e ngjarjeve, Këshilli Evropian mund të trajtojë çështje specifike të politikës së jashtme”.

Në këtë agjende është përmendur vetëm çështja e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë./Shqip.com