Lajme Botë

Konflikti me Izraelin, shënohen mbi 1 mijë të vdekur në Iran

Autoritetet iraniane kanë rritur numrin zyrtar të viktimave pas përplasjes ushtarake me Izraelin, duke njoftuar se të paktën 1.060 persona kanë humbur jetën.

Shifrat mund të shkojnë deri në 1.100 për shkak të plagëve të rënda të shumë të lënduarve. Këtë e bëri të ditur Saeed Ohadi nga Fondacioni iranian për Dëshmorët dhe Veteranët në një intervistë për televizionin shtetëror, të cituar edhe nga gazeta Haaretz.

Fillimisht, autoritetet iraniane përpiqeshin të zvogëlonin impaktin e sulmeve, por me kalimin e ditëve u detyruan të pranojnë dëmet e mëdha. Midis dëmeve më serioze përfshihen baza ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe objekte strategjike të lidhura me programin bërthamor.

Ndërkohë, një raport nga Human Rights Activists në SHBA flet për 1.190 viktima në total, duke përfshirë edhe 436 civilë. Sipas këtij raporti, mbi 4.400 persona janë plagosur rëndë.

Përplasja ka lënë gjurmë të thella në gjendjen ushtarake dhe humanitare të Iranit. Shkatërrimi i infrastrukturës dhe humbjet njerëzore po nxisin kritika të forta brenda vendit. Tensionet në rajon mbeten të larta dhe situata është ende e paqëndrueshme.

/Shqip.com