Lajme

Konfirmohet nga QKUK-ja vdekja e pacientit në Psikiatri nga zjarri

QKUK
QKUK

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka konfirmuar se një pacient ka vdekur për shkak të përfshirjes nga zjarri të një dhome në klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

ShSKUK ka thënë se rasti ka ndodhur në një nga dhomat e tipit të mbyllur.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë  në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore”, thuhet në komunikatë.

Tutje njoftohet se ishte po viktima që ia ka vënë zjarrin dhomës në të cilën po qëndronte.

“Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë  e ngufatjes nga tymi (asfiksioni)  ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet tutje në komunikatë.

Në komunikatë bëhet e ditur se shenja helmimi kanë pësuar e tërë ekipa kujdestare dhe një paciente tjetër.

“Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e po ashtu  e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët  gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente”, thuhet në komunikatë.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

/Shqip.com