Komunat i dorëzojnë listat e pagave – a do të paguhen grevistët?

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka njoftuar se tashmë kanë dorëzuar listën e pagave.
Ai ka thënë se një gjë e tillë është obligim ligjor.
“Listat e pagave tashmë janë dorëzuar nga ana e komunave sepse një praktikë e tillë është obligim ligjor”, ka thënë Ibrahimi për SHQIP.com.
Dje gjatë një paraqitje për media ministri, Hekuran Murati bëri thirrje sërish komunave të Kosovës që t`i dorëzojnë listat e atyre që janë në grevë dhe për këtë ka thënë se afati ka qenë 10 shtatori.
“Ne çfarë kemi thënë është se Ligji për grevat e parasheh se në momentin kur shpallet greva, pezullohen marrëdhëniet kontraktuale në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ne kemi kërkuar nga komunat që këtë ta zbatojnë. Muajin e kaluar, komunat janë arsyetuar se nuk kanë mundur t’i përditësojnë listat, kurse tani ka qenë mundësia që listat të dorëzohen më 10 shtator”, është shprehur ai.

Ai ka sqaruar se për të gjitha vendimet do të bazohen në legjislacionin në fuqi, që sipas tij kërkon që të bëhet auditimi i veçantë për këto çështje dhe të shihet nëse ka pasur mashtrim, deklarim të rremë në listat e pagave dhe është dëmtuar buxheti.
“Do të shohim se si janë deklaruar ato dhe në varësi të paraqitjes së gjendjes faktike nga ana e komunave do të procedojmë me hapat që parasheh legjislacioni në fuqi”, shtoi ai.
Kjo, sipas tij, nuk është as vendim e as dëshirë e qeverisë.
“Dëshirë e jona do të ishte që fëmijët të kthehen në mësim, mësimdhënësit të vazhdojnë shkollimin duke e ditur se e kanë mbështetjen e qeverisë”.
Ndryshe, në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës./SHQIP.com