Komuna e Obiliqit nuk pagoi shtatë fatura në vlerë prej 78 mijë euro brenda afatit kohor

Komuna e Obiliqit nuk ka arritur që të paguaj shtatë fatura në vlerë prej 78 mijë euro në afatin e paraparë kohor.
Kjo është bërë e ditur në bazë të raportit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
“Pesë (5) fatura për mallra dhe shërbime në vlerë totale 10,318€, dhe dy (2) fatura për investime kapitale në vlerë 68,190€ nuk ishin paguar brenda afatit kohor ligjor prej 30 ditëve. Vonesat ishin nga 8 ditë deri në 6 muaj” thuhet në raportin e ZKA-së.
Nga ZKA-ja kanë kërkuar që Kryetari i Komunës duhet të sigurojë se obligimet financiare ndaj kontraktuesve paguhen brenda afatit kohor ligjor prej 30 ditëve nga pranimi i faturës.
Por kjo nuk del të jetë shkelja e vetme e bërë nga Komuna e Obiliqit.
Komuna e Obiliqit del se të një kontratë publike në vlerë prej 40 mijë euro e ka nënënshkruar pa zotim paraprak nga SIMFK-ja.
“Kontrata publike për Furnizim me dru dhe pelet për institucionet shkollore në vlerë 40,000€ ishte nënshkruar pa zotim paraprak të mjeteve financiare në SIMFK. Zotimi dhe Urdhërblerja ishin bërë 45 ditë pas nënshkrimit te kontratës, përkatësisht pas skadimit të kontratës e cila kishte afat realizimi 10 ditë” thuhet në raportin e ZKA-së.
Kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në proceset e prokurimit publik.
Shkelja e rradhës nga Komuna e Obiliqit sipas ZKA-së ka të bëjë me bashkëfinancimin e projektit për përkrahje të familje me ferma të vogla.
“Bashkëfinancimi i projektit për përkrahjen e familjeve me ferma të vogla në rritjen, zhvillimin dhe prodhimtarinë e tyre bujqësore e blegtorale (sera) në vlerë 50,000€, është paguar nga buxheti i investimeve kapitale, ndonëse natyra e shpenzimit ka të bëjë me subvencione dhe transfere” thuhet në raportin e ZKA-së.
Po ashtu del se Komuna punësoi tre mësimdhënës pa zhvilluar ndonjë procedurë të rekrutimit./Shqip.com