Lajme

Komuna e Malishevës i dha 10 tenderë një kompanie me shumë probleme – opozita beson se ka dorë ish-ministri Vesel Krasniqi

Kuvendi Komunal i Malishevës

Rreth dy milionë euro ka marrë tenderë kompania “Themeli”, nga Malisheva me pronar Isuf Krasniqin dhe nga të dhënat e prokurimit, kuptohet se të gjithë tenderët janë të financuara prej Komunës së Malishevës nga viti 2017 deri më 2020.

“Themeli” është kompani e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, aktivitet primar e ka “Ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore”.

Në disa nga tenderët që “Themeli” i ka fituar nga Komuna e Malishevës ka pasur parregullsi, por kjo nuk e ka penguar që të fitojë projektet.

Kompania “Themeli” e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

Më datën 11 mars 2020, kjo kompani ishte shpallur fituese nga komuna për projektin “Ndërtimi i Shkollës Fillore në Gurbardh”.

“Themeli” kishte ofruar çmimin më të lartë për ta ndërtuar shkollën. Katër kompani të tjera që ishin konkurruese kishin çmim më të ulët në tender.

Derisa oferta e “Themelit” ishte 394 mijë 192 euro, kompani të tjera si “ARM ING”, edhe kjo nga Malisheva, ofronte kompletimin e këtij projekti me mbi 120 mijë euro më pak – për 273 mijë e 894 euro.

“ARM ING”, ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, institucionin që i shqyrton ankesat e palëve që pretendojnë se janë dëmtuar në procese tenderuese.

Kompania “ARM ING” e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

Përfaqësuesi i autorizuar i kësaj kompanie, Arton Krasniqi, i ka treguar Shqip.com-it se ankesa e kompanisë ishte aprovuar nga OSHP-ja dhe e kishte kthyer për rivlerësim në komisionin vlerësues brenda komunës së Malishevës.

“OSHP-ja jo një herë, por tri herë e ka rikthyer në rivlerësim”, tregon Krasniqi, por që Komuna e Malishevës prapë kishte vendosur ta shpallë fitues “Themelin”.

Çfarë thotë Krasniqi del të jetë e vërtetë edhe sipas dokumenteve që ka parë Shqip.com në faqen zyrtare të OSHP-së.

Në dokumentet zyrtare te arkiva e institucionit thuhet se Paneli Shqyrtues i emëruar nga kryetar i OSHP-së, “aprovon si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik ‘AMG ING’ lidhur me aktivitetin e prokurorimit me titull ‘Ndërtimi i objektit të ri të shkollës fillore në fshatin Gurbardh K. Malishevë”.

Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit për ankesën e kompanisë “ARM ING”.

Gjithashtu, te pika e dytë e vendimit thuhet se “anulohet njoftimi për dhënie të kontratës”.

Vendimi i OSHP-së mban datën 2 dhjetor të vitit 2019.

Por, komuna prapë e kishte shpallur fitues të njëjtën kompani. Derisa “ARM ING” përsëri kishte përcjellur ankesë në OSHP.

Eksperti i angazhuar nga OSHP kishte gjetur shkelje të shumta te kompania “Themeli”. Përveç një inxhinieri që edhe ishte anëtar për vlerësimin e ofertave dhe në të njëjtën kohë punonte për kompaninë fituese, kompania gjithashtu nuk kishte paraqitur as inxhinier të tjerë të kualifikuar.

Mungonte edhe pasqyra financiare e kompanisë dhe po ashtu nuk ishin dhënë dëshmi të plota për punë të ngjashme në tri vitet e fundit.

Komuna e Malishevës edhe pasi ka parë të gjitha parregullsitë kishte vendosur ta shpallë përsëri fitues “Themelin”.

Në një ankesë të dytë të “ARM ING”, OSHP-ja prapë gjeti parregullsi dhe e ktheu prapa. Dokumenti me vendimin ku aprovoheshin, për herë të dytë, ankesat e kësaj kompanie mban datë 12 shkurt të vitit 2020.

Cikli ishte përsëritur edhe për herë të tretë – për të gjetur prapë të njëjtin rezultat.

Tenderi për “Riparimin e Kanalizimit”

Përkundër problemeve me shkollën dhe argumentimeve të vazhdueshme të OSHP-së për parregullsi, komuna jo vetëm që vazhdoi me kompaninë “Themeli”, por e shpërbleu atë edhe me një tjetër tender.

Bëhet fjalë për tenderin për “Riparimi i Kanalizimeve, Fekaleve të dëmtuara nëpër fshatrat e Malishevës”. Këtu “Themeli” kishte fituar projektin prej mbi 96 mijë euro. Kishte operatorë të tjerë që kishin bërë ofertë me çmime më të vogla, por komuna prapë e kishte shpallur fitues “Themelin”.

Objekti i Veteranëve në Malishevë

“Themeli”, më datën 8 shtator 2020, kishte fituar tenderin për ndërtimin e “Objektit të Veteranëve në Malishevë”.

Vlera e tenderit ishte 124 mijë e 887 euro, ndërsa oferta më e ulët ka qenë 853 euro më e vogël.

Por, në OSHP ishte ankuar Grupi “Arhiko ING”, me seli në Prishtinë.

Një ndër shkeljet që janë paraqitur nga ky operator ekonomik ka qenë edhe fakti se kompania fituese “Themeli”, kishte borxhe tatimore.

Shqip.com e ka gjetur dokumentin në Administratën Tatimore të Kosovës, ku shihet se “Themeli”, kishte obligime ndaj shtetit, cka do të duhej t’ia pamundësonte të fitonte tender.

Dokumenti i Adminsitratës Tatimore të Kosovës që dëshmon borxhin e kompanisë “Themeli” gjatë muajit qershor të vitit 2020.

“Ndërtimi i Objektit për Banim Social”

Por, këto nuk ishin rastet e para kur kompania “Themeli” fitoi tenderë në komunë.

Një tjetër fitore e kompanisë është ajo me tenderin për “Ndërtimin e Objektit për Banim Social”. 

Ai kishte vlerën më të madhe prej 674 mijë e 671 euro – i fituar më 4 tetor 2018.

Për këtë tender, opozita në Malishevë ka dorëzuar dosje në Prokurori, pasi thonë se “shkallët emergjente nuk janë përfunduar”.

Sipas të dhënave të prokurimit, Kompania “Themeli”, kishte çmimin më të ulët të ofruar. Por ndërtesa, ashtu siç ishte në projekt, nuk u ndërtua kurrë.

Banimi Social në Malishevë, financuar nga Komuna e Malishevës.

Objekti i Emergjencës së QKMF-së

Fiks dy vite më vonë, “Themeli” do fitonte edhe një tjetër tender, po përsëri nga komuna.

Bëhet fjalë për ndërtimin e “Objektit të Emergjencës së QKMF-së, Dr Shpejtim Robaj”, në Malishevë.

Vlera e tij ishte 194 mijë e 548 euro – ky ka qenë çmimi më i ulët nga tetë kompani që aplikuan.

Më pastaj, me 29 shtator 2020, kompania fiton edhe një tender për punë shtesë në QKMF, me vlerë 19 mijë e 402 euro.

Projekte të tjera

Kompania në fjalë kishte marrë edhe të tjerë tenderë me vlerë gjashtëshifrorë. Më 23 qershor 2017 “Themeli” arkëtoi 427 mijë e 745 euro nga Komuna e Malishevës, pasi, si zakonisht, u shpallë fitues për ndërtimin e shkollës në fshatin Llazicë.

Po ashtu, më 23 dhjetor 2020, ka marrë edhe tenderin për “Rregullimin e Këndeve të Lojërave nëpër Fshatrat e Komunës së Malishevës.

Kompania “Themeli”, përkundër problemeve të identifikuara nga OSHP, projekteve që nuk i kryente deri në fund – si rasti me shkallët emergjente – dhe mospagesa e tatimeve, fitoi 10 tenderë nga komuna.

Vlera e përgjithshme e tenderëve është afër dy milionë euro – 1 milion e 974 mijë euro e 32 cent.

Tenderët që ka marrë Kompania “Themeli” gjatë viteve 2017-2020.

Përse komuna e Malishevës i dha tenderë një kompanie me telashe?

Shqip.com ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Malishevës për të komentuar zemërgjerësinë e tyre në raport me kompaninë “Themeli”. I pyetur për 10 tenderët që një kompani me probleme dhe duke mos i plotësuar kushtet i mori, nga zyra për media e Komunës nuk kanë dashur të komentojnë fare.

Kanë referuar te Drejtori i Urbanizmit, Ahmet Morina. Ky i fund ka thënë se “Themeli” i fitoi tenderët para se ai të bëhej drejtor, porse është i bindur se “gjithçka ka shkuar sipas procedurave”.

Në vendin e Morinës, gjatë viteve 2018-2020, kur “Themeli” kishte lehtësira në tenderë, drejtor ishte Islam Vrenezi.

“S’kam kohë të merrem me këtë punë”, ka thënë Vrenezi shkurt, kur u pyet nga Shqip.com.  

Objektet e Komunës së Malishevës.

Kompania Themeli: Kemi kryer të gjitha projektet

Pronari i kompanisë “Themeli”, Isuf Krasniqi, ka mohuar se kompania e tij ka marrë tenderë duke pasur probleme në tenderim.

Ai, në një prononcim për Shqip.com, theksoi se gjithçka ka qenë brenda procedurave ligjore sa i përket tenderëve të marrë brenda tri vjetëve.

“S’kemi aplikuar më, po merremi me ndërtime private”, deklaroi shkurt ai.

Po, çfarë e veçon “Themelin”?

Një përgjigje përse “Themeli” kapi gjithë ata tenderë në komunë e ka opozita në Malishevë.

Alban Krasniqi, kandidat për kryetar të Komunës së Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje, në një prononcim për Shqip.com, deklaron se Isuf Krasniqi dhe kompania e tij përfituan për shkak të lidhjeve politike me Nismën Socialdemokrate, parti e cila udhëheq me komunën.

Sipas Krasniqit të Vetëvendosjes, “Themeli”-t tenderat ia mundësoi, Vesel Krasniqi, ish-ministër i  Tregtisë dhe Industrisë nga Nisma në “Qeverinë Hoti” dhe vëllai i pronarit të kompanisë, Isuf Krasniqit.

“Edhe në dokumente ata nuk kanë qenë në rregull dhe kanë bërë shkelje edhe brenda procedurave, sepse zyrtarë brenda komunës kanë qenë njëkohësisht edhe zyrtarë të lartë të NISMA-s”.

Krasniqi hodhi dyshime edhe për ndërtimin e “Qendrës së Banimit Social”.

“Kontrata për ndërtimin e Banimin Social parasheh edhe shkallët emergjente, në të dy anët; përpara ndërtesës dhe pas saj, asnjëra nuk është realizuar, është bërë pranimi teknik. Nëse shikon në tender mund të kuptohet se kjo është e qëllimshme. Kështu nuk janë kryer obligimet që kompania ka pasur”.

“Kemi dërguar lëndë për këto çështje, nuk ka pasur ende lëvizje nga institucionet e drejtësisë”, përfundoi politikani opozitar në Malishevë.

Vesel Krasniqi mohon çfarëdo lidhje me kompaninë e vëllait: Jam njeri familjar, më lëni të qetë

Vesel Krasniqi, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë gjatë “Qeverisë Hoti”.

Vesel Krasniqi ka mohuar akuzat e opozitës në Malishevë.

“Mund t’i shikoni të gjitha procedurat sesi janë marrë tenderët, të gjitha janë brenda normave ligjore”, tha ai i pyetur nga Shqip.com.

Veseli theksoi se aktivitetin e ndërtimit familja e tij e ka traditë, pasi kanë punuar në Slloveni dhe kompaninë e kanë nga viti 2000.

“Unë me vëllain tim jam ndarë në vitin 2008. Nuk e di pse merreni me mua”, shprehet Veseli.

Zyrtari i Nismës Socialdemokrati beson se me këto tema “po shantazhohet” nga mediat.

“Nisma po qëndron mirë në Malishevë, çka me bo, merru me Veselin”, thotë ai.

Po ashtu shtoi se këta tenderë nuk janë financuar veç nga Komuna e Malishevës, disa prej tyre janë edhe bashkë-financim.

Malisheva, komuna e Nismës

Komuna e Malishevës drejtohet nga Ragip Begaj i Nismës Socialdemokrate.

Ky subjekt politik qeverisë në Malishevë që nga zgjedhjet e vitit 2013, të cilat i fituan përmes “Iniciativës Qytetare për Malishevë”, të transformuar pastaj në Nisma Socialdemokrate më 2014.

Kjo është komuna e vetme në të cilën partia e Fatmir Limajt qeverisë.

Ky subjekt politik ka qenë dy herë në qeveri. Gjatë viteve 2017-2020, ku ekzekutivin e drejtonte Ramush Haradinaj.

Po ashtu, Nisma iu bashkua bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas shkarkimit të Qeverisë “Kurti 1”.

Me sloganin “Me çlirimtarët”, Nisma i hyri garës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, por nuk arritën ta kalonin pragun zgjedhor.

Nga ajo kohë Nisma është parti joparlamentare, por synon ta qeverisë Malishevën për edhe një mandat. /Shqip.com