Lajme

Komiteti i Helsinkit dënon idenë serbe për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e Njeriut në Serbi, ka reaguar ndaj kërcënimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht pikën kufitare Dheu i Bardhë – Konçul.

Vuçiq të hënën tha se “ekziston ideja e madhe që të mbyllet Konçuli dhe të lirohen të kalojnë vetëm serbët, që të mos ketë kontakte mes shqiptarëve të Bujanocit dhe Medvegjës me shqiptarët e Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

“Deklaratat e tilla ndikojnë në shqetësimin e njerëzve dhe krijimin e psikozës së luftës në jug të Serbisë, posaçërisht tek komuniteti shqiptar në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Forma e tillë e diskriminimit çdo herë fillon përmes fjalimeve të tilla”, thuhet nga Komiteti i Helsinkit në Serbi.

Ndaj kërcënimit të presidentit Vuçiq ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili e ka quajtur “fashizëm të pastër” idenë për mbylljen e kufirit./SHQIP.com