Komisioni për Integrime miraton amandamentin e Projektligjit të IPA-së

Me nëntë vota pro është miratuar Projektligji për ratifikimin e Amandamentit nr.1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016, mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përcjell Shqip.com.
Projektligjin në Komisionin për Integrime Evropiane e ka prezantuar zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Sipas tij, miratimi i këtij amandamenti mundëson shtyrjen e afatit nga viti 2023 në 2024 për ekzekutimin e projekteve që kanë ngecur për shkak të pandemisë COVID-19.
Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka hedhur Kritika ndaj Bislimit për “mos arritje të buxhetit për departamentin e integrimeve evropiane”.
Ndërkaq, të martën janë miratuar edhe disa Projektligje, si ai i tregtisë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dhe për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, me amandamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së./SHQIP.com