Komisioni i Venecias në mars jep rekomandimet për Vettingun në Kosovë

Komisioni i Venecias pritet që në muajin mars të vitit të ardhshëm të japë rekomandimet në lidhje me procesin e Vettingut në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten në një konferencë për media ku ka bërë prezantimin e punëve të cilat ministria që drejton ka bërë gjatë vitit 2021.
“Jemi duke pritur opinionin e Komisionit të Venecias për vettingun në sistemin e drejtësisë, dhe sipas informacioneve që kemi marrë në muajin mars 2022 do të na japin opinionin e tyre për këtë çështje, kur ta marrim atë opinion, do t’i shohim rekomandimet dhe do të vazhdojmë tutje duke i aplikuar ato”, ka thënë Haxhiu.

Mes tjerash, ajo ka folur edhe për raportet me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), për të cilat ka thënë se nuk janë edhe aq të këqija.
Ministja Haxhiu ka deklaruar se KPK-në më shumë ka pasur përplasje verbale për çështjen e vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Sa i përket raporteve me KPK-në konsideroj që nuk janë ashtu siç duken. Ka pasur disa acarime më shumë verbale dhe në këtë drejtim konsideroj që arsyet për këtë janë reformat në drejtësi që ka nisur MD-ja”, është shprehur ajo para mediave.
“Besoj që edhe njerëzit e mirë që janë brenda sistemit të drejtësisë që ka shumë të tillë që kanë integritet moral dhe profesional e kanë në interes që të bëhen reformat në drejtësi”.
Haxhiu ka thënë se në vitin 2022 presin që të ketë bashkëpunim më të mirë dhe se do punojnë në këtë drejtim./SHQIP.com