Komisioni Evropian: Certifikata e vaksinimit të COVID-19 vlenë vetëm nëntë muaj për udhëtimet brenda BE-së

“Komisioni i Bashkimit Evropian ka miratuar rregullat në lidhje me certifikatën digjitale të BE-së të COVID-19, duke vendosur një periudhë detyruese prej 9 muajsh për certifikatat e vaksinimit për udhëtime në BE”.
Kështu ka bërë të ditur Didier Reynders, komisioner për drejtësinë në Komisionin Evropian.
“Një periudhë e qartë dhe uniforme pranimi për certifikatat e vaksinimit do të sigurojë që masat e udhëtimit të vazhdojnë të jenë të koordinuara, siç kërkohet nga Këshilli Evropian pas takimit të fundit më 16 dhjetor,” deklaroi Reynders, përcjell Shqip.com.
“Koordinimi i vazhdueshëm është thelbësor për funksionimin e tregut të vetëm dhe do t’u japë qartësi qytetarëve në ushtrimin e të drejtës së tyre për lëvizje të lirë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Komisioni Evropian.
“Certifikata digjitale Covid e BE-së është një histori suksesi në BE dhe vazhdon të lehtësojë udhëtimin e sigurt për qytetarët në të gjithë Bashkimin Europian gjatë pandemisë. 807 milionë certifikata digjitale janë lëshuar në BE deri më tani. Certifikata digjitale Covid e BE-së ka vendosur një standard global. Deri më sot, 60 vende dhe territore në pesë kontinente i janë bashkuar sistemit. Rregullat e reja për udhëtimin brenda Bashkimit harmonizojnë rregullat e ndryshme midis shteteve anëtare”, ka thënë ndër tjerash, komisioneri për drejtësi, Reynders.
Ndërkaq, komisioneri për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, tha se doza përforcuese rekomandohet të merret jo më vonë se gjashtë muaj pas marrjes së dy dozave të vaksinës anti COVID-19.
“Kjo periudhë vlefshmërie merr parasysh indikacionet e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve që rekomandohen doza përforcuese jo më vonë se gjashtë muaj pas përfundimit të kursit të parë të vaksinimit. Certifikata do të mbetet e vlefshme për një periudhë tre muaj të tjerë përtej gjashtë muajve për të siguruar që Fushatat Kombëtare të vaksinimit mund të përshtaten dhe qytetarët të kenë qasje në doza përforcuese”, thekson ekzekutivi i BE-së.
Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi ka folur rreth certifikatës digjitale të Coronavirusit me të cilën ende nuk janë pajisur qytetarët e Kosovës.
Latifi, para komisionit tha se janë duke punuar në këtë drejtim, mirëpo, ende nuk ka informata se kur do të finalizohet kjo çështje, shkruan Shqip.com.

“Pasaporta e vaksinës është gati e njëjtë, më pak problematike me zgjedh. Ne e kemi një përfaqësues të Bankës Botërore që po punon. Teknikisht inxhinierët po e zgjedhin këtë vështje. Se kur do të bëhet, sa më shpejtë por s’mund të ju tregoj se kur bëhet. Kam biseduar me personelin që janë duke e kry këtë punë, kanë thënë që bëhet për dy javë. Jam shumë i interesuar që kjo të kryhet. Edhe kryeministri dhe presidentja janë shumë të interesuar që kjo të kryhet sa më shpejtë”, tha ministri Latifi.
Ndërkaq, Komisioni Evropian më 21 dhjetor ka lëshuar edhe një njoftim ku tregon se njeh certifikatat për vaksinimin kundër Coronavirusit që lëshohen nga autoritetet në Mal të Zi.
KE konfirmoi se certifikatat për COVID-19 që lëshohen nga Mali i Zi janë “të barasvlefshme me certifikatat digjitale të COVID-19 që lëshohen nga Bashkimi Evropian”, tha ky institucion i BE-së përmes një deklarate.
Përveç Malit të Zi, BE-ja ka vendosur që të njohë edhe certifikatat e Tajvanit, Tajlandës, Tunizisë dhe Uruguait.
Sipas njoftimit, ky vendim i KE-së do të hyjë në fuqi më 22 dhjetor 2021.
“Ky vendim del pas vlerësimit teknik të kryer nga shërbimet e BE-së për certifikatat që lëshohen nga këto pesë shtete dhe territore, dokumente të cilat do të inkorporohen në sistemin e BE-së. Blloku evropian do të trajtojë certifikatat e këtyre shteteve siç bën me certifikatat për COVID-19 të BE-së”, tha Komisioni Evropian.
Me vendimin e marrë nga KE, nënkuptohet se çdo person që posedon certifikatë të lëshuar nga Mali i Zi mund ta përdorë atë me të njëjtat kushte sikurse një person që posedon certifikatën digjitale të BE-së për COVID-19.
Nga shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tashmë kanë marrë konfirmimin për njohjen e certifikatave të tyre.
Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë shtetet e vetme në rajon, certifikatat e të cilave ende nuk njihen nga BE-ja./Shqip.com