Lajme

Komandantët kufitarë Ramiz Ahmeti e Xhavit Lokaj, në mesin e të arrestuarve

Operacioni PIKA 2

Komandanti i pikës kufitare në Qafë Morinë dhe ai i pikës kufitare Qafë Prush janë arrestuar në aksionin e Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Shqip.com, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Janë arrestuar komandanti i policisë kufitare në pikën Qafë Morinë, Ramiz Ahmeti, dhe komandanti i policisë kufitare në Qafë Prush, Xhavit Lokaj”, tha Isufaj.

Të arrestuarit janë duke u dërguar në Prishtinë, në Inspektoratin Policor.

Gjithashtu edhe nga Dogana e Kosovës e kanë konfirmuar se janë arrestuar dy zyrtarë doganorë.

Foto nga IPK – Operacioni PIKA (3)

“Dogana e Kosovës zbaton politika rigoroze që dekurajojnë me efikasitet praktikat e korrupsionit dhe sjelljes jo profesionale si dhe do të ndërmarrë me prioritet veprime që synojnë luftimin e korrupsionit dhe praktika të dëmshme e sjellje jo profesionale. Mbi këtë konsideratë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës ka ndërmarrë veprimin e suspendimit të menjëhershëm të zyrtarëve doganor të arrestuar dhe do të filloj procedimin administrativ disiplinor”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Sipas njoftimit, të arrestuarit S.Zh dhe E.T, dyshohet se kanë kryer veprën “mitmarrje” dhe “shpërdorim i detyrës apo autoritet zyrtar”.

Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës./Shqip.com

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovë.