Kllokoqi letër Kurtit, kërkon hapjen e klubeve të natës dhe sallave të dasmave

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, u ka dërguar letër të hapur kryeministrit, Albin Kurti, ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, përcjell Shqip.com.
Përmes kësaj letre, Kllokoqi ka kërkuar nga institucionet që të lejojnë hapjen e klubeve të natës dhe sallave të dasmave, pasi që “diaspora qëllimin kryesor gjatë vizitës në Kosovë e ka argëtimin pas një pune të lodhshme që bën në vendet ku veprojnë”.
“Klubet e natës dhe sallat e dasmave janë ministria e 16të e Kosovës duke marrë parasysh se diaspora qëllimin kreysor gjatë vizitës në Kosovë e ka argëtimin pas një pune të lodhshme që bën në vendet ku veprojnë gjatë tërë vitit. Miliona euro tatime derdhen direkt e indirekt si zingjir në arkën e shtetit nga gastronomia, dhe kur na u deshtë neve ndihma juaj, na HARRUAT!”, shkroi ndër tjerash ai.
Në të kundërtën, Kllokoqi kërkoi që ata të mbështeten në obligimet e qirasë dhe punëtorëve, derisa tregoi se 20 klube të natës dhe 200 salla dasmash janë duke u mbajtur të mbyllura për 19 muaj.
“Duke marrë parasysh këtë fakt si shtyllë kryesore të promovimit të turizmit në Kosovë dhe si motorr i ekonomisë, thjesht po kërkojmë nga ju që të na lejoni punën konform rregullave që po aplikohen edhe në shtetet fqinje, ose në të kundërt po kërkojmë që të na mbështetni në obligimet e qirasë, punëtorëve dhe të ndani një pjesë të fitimit të vitit 2019 për pronarët e këtyre bizneseve.
20 klube të natës dhe 200 salla dasmash në total për 19 muaj po mbahen të bllokuara, duke e pasë të ndaluar veprimtarinë e tyre, e aq më tepër duke marrë parasysh se situata me pandemi në 2 muajt e fundit ka qenë shumë stabile ( mesatarisht 20 raste pozitive në ditë)”, ka shtuar ai.
Sipas tij, rreth tre mijë punëtorë apo 15 mijë qytetarë të vendit janë duke u “përballur me krizë të madhe ekonomike duke u mohuar e drejta për jetë e patë ardhura për shkak të vendimeve jo adekuata conform situatës pandemike”.
Tutje, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve theksoi se qytetarët nga Kosova po frekuentojnë klubet e natës dhe salat e dasmave në Maqedoni dhe Shqipëri.
“Këto veprime janë duke shkatërruar atë që me mund e kemi ndërtu ndër vite. Qytetarët tanë tash po frekuentojnë klubet e natës dhe sallat e darsmave në Maqedoni që janë një orë larg nga Prishtina, apo në Shqipëri dy orë e tridhjetë minuta.
Rrjedhimisht Kosova po e humbë primatin e vendit me jetën më të mirë të natës në rajon, duke i anashkaluar komplet nga jeta ekonomike këtë nënsektor të rëndësishëm, si pasojë e masave diskriminuese që po aplikohen”, shkroi ai.
Ndryshe, të martën, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID’19, në të cilat nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket orës policore dhe orarit të gastronomisë./SHQIP.com