Lajme Botë

“Kjo është shtëpia jonë”, amerikanët refuzojnë të largohen nga Ukraina

Mijëra njerëz kanë marshuar në Kiev për të treguar unitet kundër një pushtimi rus

Derisa tensionet po rriten, qeveria amerikane u ka kërkuar qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Ukraina, duke përmendur kërcënimin e një pushtimi të afërt rus. Por, jo të gjithë qytetarët amerikanë që jetojnë në Ukrainë po e marrin këtë këshillë.

Perëndimi ka hedhur poshtë pretendimet ruse për një tërheqje të pjesshme të trupave dhe zyrtarët amerikanë vazhdojnë të besojnë se Moska mund të sulmojë në çdo kohë.

Por, sipas BBC-së, shumë prej atyre që jetojnë në Ukrainë nuk besojnë se një sulm në shkallë të plotë ndaj Kievit është i pashmangshëm, pavarësisht paralajmërimeve nga burime të inteligjencës të cituara në media, transmeton Shqip.com.

Çështja nëse duhet larguar nga Ukraina është aktualisht një nga më të diskutuarat në grupet e mediave sociale të emigrantëve, që përfshin njerëz që shkuan në Ukrainë për një vizitë të shkurtër dhe ata që kanë jetuar atje për një kohë të gjatë.

BBC News Ukraine ka folur me disa amerikanë që jetojnë në vend, duke përfshirë biznesmenë, mësues dhe vullnetarë, dhe i ka pyetur për vendimin e tyre për të qëndruar.

Sean Almeida, nga Bostoni, ka ndërtuar një biznes në Kiev që nga viti 2014 dhe tani, pavarësisht kërcënimit, nuk ka ndërmend të largohet nga Ukraina.

Sean Almeida

“Lëreni Biden të thotë çfarë të dojë, por unë nuk do të hyj në panik dhe nuk do të largohem nga vendi që prej kohësh është bërë shtëpia ime”, thotë ai.

Sean nuk beson se pushtimi rus është aq i pashmangshëm sa thonë mediat perëndimore dhe diplomatët./SHQIP.com