Kinostudio kundër klerit?!

Është mbajtur në Tiranë tryeza për “Shqipërinë ateiste”, propozimi: Të shfaqen me logo mbi propagandën. Tryeza u organizua me mbështetjen e Konrad Adenauer.
55 vite pas ditës kur Shqipëria u shpall vend ateist nga regjimi komunist, një konferencë pati në fokus “Kinostudion kundër klerit”, duke trajtuar filmat artistikë që diskreditonin e denigronin klerikët.
Tryeza që bashkoi përfaqësues të klerit, institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të artistëve, synon të nxisë debat publik mbi ç’duhet bërë me këta filma që duke u shfaqur ende vijojnë të përçojnë propagandë kundër klerit, transmeton Balkanweb.
Jonila Godole, nga Instituti për Demokraci Media e Kulturë (IDMC), ka thënë se “Regjimi përdori filmat për të denigruar, ndaj sot jemi këtu për të iniciuar një debat mbi çfarë duhet të bëjmë me këta filma, si duhet t’i shfaqim dhe mbase disa nuk duhen shfaqur më”.
Për ipeshkvin e Rrëshenit, “qëllimi i filmave nuk ishte e vërteta, por ideologjia. Duke përdorur vese që nuk e dimë nëse janë të vërteta ato denigronin sentimente religjioze ndaj sot, duhet t’i bëjmë vetes një pyetje?”.
“Censurë apo filtër hermeneutik, çështja e hermenutikës, e interpretimit, e kuptimit përmes disa filtrave që nuk janë censurë. Ky debat duhet të jetë akoma i gjallë mes nesh. Trauma është ende një faktor social dhe shoqëritë traumatizohen dhe e transmetojnë traumën nga brezi në brez”, tha Dom Gjergj Meta.
Sipas pedagogut Mark Marku, filmat mund të shfaqeshin lirisht nëse sistemi ynë i edukimit nuk do të çalonte por ai e sheh situatën disi kokëposhtë, gjykuar nga qasja e shtetit ndaj qytetarit.
“Ne nuk mund të shkëputemi nga totalitarizmi nëse këtë pjesë të njërës medalje e mbajmë të pacenuar. Ne nuk jemi në periudhë dekomunistizimi, ne jemi në një periudhë restaurimi të komunizmit”, ka thënë Mark Marku.
Kryetarja e Komisionit të Medias, Flutura Açka, kërkoi propozime konkrete. “Çështja është a e shpallëm ne diktaturën si genocid. Mendoj se këtu duhet të kishim filluar. Do të ishte më e efektshme nëse propozimet vijnë në komision në mënyrë që komisioni t’i kthejë në amendamente. Ligji i televizionit dhe i AMA-s është një ligj. Ne mund ta bëjmë më të shpejtë këtë gjë”, tha Açka.
Ndërsa në një anë filmat përcillnin një portretizim të nëpërkëmbur të klerikëve, dokumentet mbi kohën, tregojnë klerikët që u vranë dhe burgosën në emër të ideologjisë. Përfaqësuesi i kishës ortodokse ka një propozim konkret.
“Filmat të transmetohen jo të ndalohen, por atyre duhet t’u vendoset një tekst shpjegues në fillim dhe në fund të filmit ose një logo në cep të ekranit, gjatë gjithë kohës së transmetimit që të bëjë të ditur të shikuesi që këta filma përmbajnë propagandë komuniste”, tha përfaqësuesi i kishës ortodokse Thoma Shkira.
Perceptimet dhe zgjidhjet mbeten të ndryshme, duke treguar kësisoj se sa efektive ka qenë ajo propagandë, dhe deformimet që ka krijuar te një njeri i ri, që mbetet po aq njeri i ri.
“Kemi propagandën nga filmat e Kinostudios dhe kemi nevojë për një edukim përmes institucioneve arsimore e atyre kinematografike për të dhënë kontributin e klerit në shpalljes e pavarësisë”, tha Genti Kruja nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.
Instituti për Demokraci Media e Kulturë ka kërkuar ngritje të grupeve të punës për të klasifikuar nivelin e propagandës, rishikimin e përshkrimeve, pajtueshmërinë me ligjet e sotme, nevojën për një rezolutë mbi propagandën, ndërsa filmat vijojnë të shfaqen në disa platforma njësoj siç shfaqeshin gjatë diktaturës pa bërë asnjë dallim me kohën kur armiku ishte njeriu i lirë.
/Shqip.com