Kievi nën sulm të ri vdekjeprurës me dronë rusë! Dy të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe shkatërrime të mëdha

Një tjetër sulm masiv me dronë rusë goditi kryeqytetin ukrainas, Kiev, në orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke shkaktuar dy viktima dhe 13 të plagosur.
Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar në ndërtesa banimi dhe objekte publike.
Sipas autoriteteve lokale, sulmet ndodhën në gjashtë lagje të qytetit, përfshirë Shevchenkivskyi dhe Podilsky. Mbetje të dronëve goditën çatitë e ndërtesave, automjete dhe depo, duke shkaktuar zjarre masive dhe shpërthime të fuqishme.
“Ndërtesa banimi, automjete, depo, ndërtesa zyrash dhe jo-banesore po digjen,” deklaroi Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, përmes një postimi në Telegram.
“Fatkeqësisht, kemi dy të vdekur. Këta njerëz u vranë nga rusët. Kjo është një humbje e tmerrshme.”
Në lagjen Podilsky, një qendër e kujdesit shëndetësor parësor është raportuar si “gati tërësisht e shkatërruar”, tha kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko.
Qytetarëve u është kërkuar të strehohen deri në përfundimin e alarmit ajror dhe të mbajnë dritaret e mbyllura për shkak të përhapjes së tymit toksik në shumë zona të Kievit.
Ky sulm vjen vetëm pak ditë pasi Ukraina raportoi sulmin ajror më të madh ndonjëherë – me 728 dronë dhe 13 raketa balistike të lëshuara nga Rusia në një seri valësh të njëpasnjëshme që goditën qytete të shumta.
Sulmi ndodhi ndërkohë që SHBA rifilloi dërgesat e disa armëve mbrojtëse drejt Ukrainës, pasi një ndërprerje e përkohshme e ndihmës kishte shkaktuar shqetësime në Kiev.
/Shqip.com