Lajme

KFOR reagon përseri: Po mbikqyrët nga afër gjendja në veri

Misioni i KFOR-it

KFOR-i po vazhdon të mbikëqyr gjendjen në veri të Kosovës së bashku me organizatat vendase dhe ndërkombëtare të sigurisë.

Përmes një postimi në Twitter të tyre, thuhet se KFOR-i mbetet i vendosur fuqishëm ndaj sigurisë.

“KFOR po mbikëqyr nga afër gjendjen në veri të Kosovës me organizatat vendase e ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e vet të OKB- së, KFOR mbetet i vendosur fuqishëm ndaj sigurisë, i gatshëm të miratojë masat e nevojshme për të mbajtur Kosovën të sigurte”, thuhet në postimin e tyre.

Janë liruar të gjitha rrugët që të çojnë dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Kështu ka thënë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Hoti për Shqip.com tha se janë larguar të gjitha barrikadat.

“Të gjitha barrikadat janë larguar dhe rrugët janë të hapura”, tha ai.

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, i cili do hynte në fuqi më 1 gusht, serbët lokalë në Kosovë, më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ata kishin vendosur kamionë dhe makineri tjera të rënda.

Në veri të vendit kishte ngritje të tensioneve ku pati edhe të shtëna me armë zjarri.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se nuk ka të plagosur.

Ndërsa kishin thënë se ka shqiptarë që janë lënduar dhe maltretuar nga disa grupe në veri të vendit.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut pati zhvilluar një takim me përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së.

Me kërkesë të tyre, Qeveria vendosi të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Ndërsa, më 1 gusht, Qeveria nisi zbatimin e vendimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte deklaruar se përveç pikave Jarinjë dhe Bërnjak, vendimi po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Sveçla ka bërë të ditur se 1501 dokumente janë lëshuar për hyrje-dalje në pikat kufitare.

Pas thirrjeve të Qeverisë së Kosovës për largim të barrikadave, një grup i serbëve lokalë liruan rrugët që të çon në Jarinjë dhe Bërnjak./Shqip.com