Lajme

KFOR: Qeveria s’u koordinua me ne, në protestë kishte grupe kriminale

Ushtarët e lënduar të KFOR-it në Veri, kthehen në Itali
Ushtarët e lënduar të KFOR-it në Veri, kthehen në Itali

Zëdhënësi i Shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës kishte dërguar kryetarët e katër komunave në veri, pa pasur asnjë koordinim me forcën ushtarake të NATO-s.

Ai tha se trupat e KFOR-it ishin aty për ta parandaluar një eskalim të mëtejmë të situatës, teksa shtoi se përveç protestuesve të qetë, kishte edhe grupe kriminale që i sulmonin ushtarët me armë të ndryshme.

“Komandanti i KFOR-it është vazhdimisht në kontakt me institucionet e Kosovës. Nuk mund të them se kishte koordinim me 29 maj. KFOR ishte aty për të parandaluar eskalimin e mëtejmë të protestës dhe më 29 një protestë e madhe u shfaq dhe ushtarët e KFOR-it ishin të përfshirë në atë protestë të dhunshme. Gjatë kësaj proteste, shumë ushtarë të KFOR-it ishin lënduar, disa ishin lënduar nga gurët e hedhur, mjetet shpërthyese të improvizuara…ishte e qartë se aty ishin njerëz që protestonin në një mënyrë të qetë, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre po fshiheshin disa grupe kriminale që përpiqeshin të sulmonin trupat. Pas kësaj proteste të madhe, shumë ushtarë nga kontingjenti Italian ishin lënduar nga shkopinj dhe gurë dhe mjete shpërthyese. Në fillim ishin 11 ushtarë nga kontingjenti Italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Në ditët në vazhdim akoma më shumë u shfaqën me lëndime të vogla”, tha ai.

Tutje, ai u shpreh se KFOR-i është i gatshëm të veprojë nëse ka eskalim të situatës në veri të vendit, teksa shtoi se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet t’i zgjidhin problemet përmes dialogut.

Tutje, ai tha se qëllimi i KFOR-it, nuk është ta marrë nën kontroll veriun, derisa bëri të ditur se shtimi i prezencës është bërë për shkak të sigurisë.

/Shqip.com