KFOR-i e konfirmon pranimin e kërkesës nga Serbia: Aktualisht jemi duke e vlerësuar

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka konfirmuar për Shqip.com, se në adresën e tyre ka ardhur kërkesa zyrtare nga Serbia për dërgimin e trupave ushtarake në Kosovë.
Tutje, ata shprehen se kërkesa për momentin është duke u vlerësuar dhe se mbeten të përkushtuar për përmbushjen e mandatit të tyre sipas OKB-së.
“Kemi marrë një letër nga Serbia dhe aktualisht jemi duke e vlerësuar. KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij në OKB”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it, për Shqip.com
Kujtojmë, se gjatë ditës pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në Merdar i kanë dorëzuar KFOR-it kërkesën për kthimin e 1 mijë pjesëtarëve të forcave të tyre të sigurisë në Kosovë.
Ditën e djeshme, ishte vet presidenti Vuçiq që në seancën e Qeverisë kishte konfirmuar se është marrë një vendim unanim që të dërgohet një kërkesë për kthimin e forcave të sigurisë serbe në Kosovë.
Kjo kërkesë ka ardhur në ditën e shtatë të barrikadave në veri të Kosovës. Ato u vendosen pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq, si të akuzuar për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri.
/Shqip.com