Sport Ndërkombëtar

KFC i kërkon falje Mbappes dhe Kombëtares së Francës

KFC France ka lëshuar një deklaratë ku ka kërkuar falje, pasi kërcënoi se do të ndalonte sponsorizimin e kombëtares franceze.

KFC France ka lëshuar një deklaratë, duke u tërhequr nga ideja për t’u tërhequr si sponsorë e kombëtares franceze, pasi Kylian Mbappe refuzoi të merrte pjesë në një fushatë marketingu.

“KFC France i vjen keq për fjalët që u thanë dje. Këto janë mendime personale, por në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pozicionin e kompanisë. Partneriteti me Federatën Franceze të Futbollit ka qenë gjithmonë një burim krenarie për ne”, tha kompania në një deklaratë për Reuters.

Alain Beral, nënkryetar i KFC France, fillimisht deklaroi se kompania do të ndalonte sponsorizimin e ekipit kombëtar me Mbappe që refuzonte të prodhonte përmbajtje promocionale, por kompania tani i ka hedhur poshtë pretendimet e tilla.

Ndërkohë, ekipi kombëtar i ka thënë Mbappes se do të ndryshojë politikat e reklamave dhe të drejtave të imazhit pasi ai protestoi.

Francezi është me ekipin e tij kombëtar teksa po përgatiten për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Austrisë dhe Danimarkës në raundin e fundit të ndeshjeve ndërkombëtare përpara fillimit të Kupës së Botës në nëntor./Shqip.com